Një incident është regjistruar mbrëmjen e së martës në Fier, ku oficerë të BKH-së dhe forcat operacionale janë përplasur fizikisht me punonjës të një biznesi ndërtimi në pronësi të Shkëlqim Kapllanajt.
Ngjarja ndodhi në lagjen “1 Maji”, rreth orës 21:00, kur autoritetet kishin ngritur një dron pranë bizneseve të Kapllanajt, i njohur si i afërm i ish-kryebashkiakut të Ballshit, Agron Kapllanaj.
Sipas raportimeve të para, konflikti ka nisur pas një debati për parkimin e automjeteve, por më pas situata degjeneroi në përplasje fizike, ndërsa përmendet edhe fakti se droni ka ngjallur tension mes palëve.
Si pasojë e incidentit, pesë persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, mes tyre edhe dëshmitarë të ngjarjes. Oficerët e operacionales kanë bërë kallëzim për sulm ndaj punonjësve të rendit për shkak të detyrës.
Policia e Fierit njoftoi zyrtarisht se të gjithë personat e përfshirë janë identifikuar dhe se veprimet hetimore po kryhen nga Prokuroria pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Be First to Comment